Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, të premten ka paralajmëruar iniciativën qytetare me të cilën synon t’i futet zgjedhjeve të ardhshme.

Ajo ka publikuar një fotografi në Facebook në të cilën shkruan “Guxo”, që është slogani i saj për zgjedhjet të cilat pritet të mbahen në fillim të vitit.

“Të guxosh është rezistencë kundrejt një situate kur pashpresa dominon optimizmin, kur frika krijon hapësirë, kur reagimi merr fund. Vjen një moment dhe një kohë kur nevoja për transformim kërkon veprim. Andaj GUXO! Guximi për sot është ndryshimi për nesër!” ka shkruar ajo si përshkrim të kësaj fotografie.

Osmani në zgjedhjet e fundit ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre. Në zgjedhje doli e dyta, por pas mospajtimeve me partinë, kryesia e LDK-së e shkarkoi nga funksionet që kishte. Ajo ka kohë që ka bërë të ditur se do të krijojë një listë, e që së fundmi është lidhur me një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Vendi hyn në zgjedhje të reja pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshme votën vendimtare të deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti në qershor.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Osmani dhe LDK-ja garuan me sloganin “Beso”.

Image