Dy goditje milionëshe u janë bërë vetëm këtë javë ekonomisë së shtetit, pa llogaritur dëmet si pasojë e pandemisë. Kompanitë publike, Telekomi e Posta e Kosovës, që dikur kishin qenë më profitaibilet në vend mund të lejnë pa paga mijëra familje në rast se Qeveria nuk e gjen një zgjidhje të shpejtë. Drejtues të Postës duke fajësuar menaxhmentet e kaluara për situatën, i janë drejtuar Kryeministrit Avdullah Hoti nëpërmjet një letre duke ia kërkuar afër 5 milionë euro për ta shlyer borxhin ndaj ATK’së dhe për t’i mbuluar shpenzimet tjera. Pos takimeve në kryeministri, për të dyja s’ka ende asnjë plan konkret, shkruan Gazeta Express.

Një borxh që Qeveria ka ndaj Postës së Kosovës mund të ndihmojë ndërmarrjen publike që dikur kishte qenë ndër më profitabilet në vend që të dalë nga kriza në të cilën është futur pas bllokimit të llogarive nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Përmes një
njoftimi për media, Posta e Kosovës njoftoi dje se ATK’ja ua ka bllokuar
xhirollogaritë për shkak të një borxhi të vitit 2018 e 2019-të. Nga Posta kanë
kërkuar publikisht që Qeveria t’ia zbatojë humbjet mbi 5 milionë euro nga
Shërbimi Universal Postar.

Gazeta Express ka siguruar letrën që kryeshefi i Postës Salih Morina së bashku me kryetarin e Bordit të këtij institucioni, Mentor Arifajn ia kanë dërguar kryeministrit Avdullah Hotit dhe ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçit.

Posta përmes
kësaj letre ka kërkuar që në mënyrë urgjente të kryejnë obligimet që kanë për
Shërbimin Universal Postar për humbjen e shkaktuara nga viti 2013-të e deri në
vitin 2017-të.

Në këtë kërkesë,
nga Posta kanë kërkuar që të kryhet urgjentisht obligimi në shumë prej 4,947,
097.18 euro. Kjo shumë sipas arsyetimit ju duhet për të përmbushur obligimet
ndaj ATK’së që kapin shumën 1,246,648.75 euro, ku edhe është sqaruar se kanë
marrë njoftim nga ATK’ja që nëse nuk bëhet larja e borxhit atëherë do të ju
bllokohen llogaritë e kompanisë. Pjesa tjetër e të hollave, sipas arsyetimit,
do të përdoret për të mbuluar shpenzimet operative siç janë pagat dhe
shpenzimet tjera operacionale.

Gazeta Express ka siguruar edhe vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin e Postës së Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik si dhe urdhrin për lejim të përmbarimit. 

Në Postën e
Kosovës thonë se gjendja financiare në ndërmarrje publike momentalisht është
mjaft e rëndë. Vetëm në kohë të pandemisë ky institucion ka pasur rënie të të
hyrave mbi 80%.

Në një intervistë për Gazetën Express, kryesuesi i Bordit të Përkohshëm të Postës, Mentor Arifaj ka thënë kjo situatë vjen pas menaxhimit dhe udhëheqjeve të mëhershme, derisa, situata është rënduar edhe më shumë në kohë të pandemisë.

Arifaj thotë se
që nga momenti që janë emëruar në krye të bordit në çdo afat ligjor kanë paguar
borxhet ndaj ATK’së. Ai sqaron se deri te bllokimi i llogarive ka ardhur si pasojë
e akumulimit të një borxhi të disa viteve më parë  që kishte qenë rreth 1 milionë e 800 mijë
euro.

“Duke marrë parasysh disa të hyra që i kemi pas gjatë kësaj kohe borxhi është zvogëlu. Për momentin janë 1 milionë e 300 mijë borxh ndaj ATK’së, në çdo rast ne kemi tentuar që të negociojmë me ATK’në edhe të shikojmë mundësinë e ri programimit të këtij borxhi, që është sugjerim apo mundësi që e ofron ATK’ja që me u riprogramu ky borxh në atë mënyrë që të paguhet me këste.  Borxhi është momentalisht 1 milionë e 300 mijë po ka qenë 1 milionë e 700 mijë”, ka sqaruar ai.

Në momentin kur
ATK’ja ka bllokuar llogaritë e kompanisë publike, ky institucion kishte pasur
edhe paratë që kishin marrë nga Qeveria me datën 3 qershor, si ndihmesë për
kalim të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Kryesuesi i
Bordit thotë se nuk kanë mundur që t’i ridestinojnë ato mjete, për arsye se një
veprim i tillë do të konsiderohej shkelje penale në aspektin ligjor, derisa, ka
folur edhe për një takim të dy ditëve më parë që kanë pasur me drejtues të
Administratës Tatimore.

“Menaxhmenti jonë
e ka vizituar ATK’në. Aty na u është thënë se do të na bllokohen llogaritë
nëpër banka po para se me bo atë hap ju lusim që të vini me propozim të ri
programimit. Në bazë të borxhit, si të na njofton ATK’ja për shumën brenda një
jave ose një dite ne është dashtë me shku me një plan ku i tregojmë indikatorët
financiarë edhe në bazë të indikatorëve bëhet riporgramimi, psh. Fillimisht me
pagu 20%, pastaj pjesa e tjetër ri programohet që mundet me qenë maksimalisht
24 muaj”, thotë Arifaj, duke shtuar se menjëherë kanë kërkuar nga kryeministri
dhe ministri takim që të ju shpjegojnë rastin.

“Si Bord së bashku edhe me menaxhmentin edhe Qeverinë do të tentojmë që të gjejmë një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, në kuptimin edhe praktik, edhe gjithsesi edhe punëtorët do të ju garantohet se do t’i marrin pagat me kohë. Posta e Kosovës i ka rreth 997 punëtorë me bllokimin e llogarive nga ATK‘ja faktikisht operacionaliteti dhe funksionaliteti do të fillojë që të dobësohet në momentin e parë që na jemi si ndërmarrje nëse duhet me pagu ndonjë borxh do të kemi mundësi që të kemi të dala nga llogaritë tona që mund të bëjnë pagesa të ndryshme, mandej dot ë vihet edhe te pakënaqësitë te punëtorët nëse nuk paguhen me kohë, mund të kemi edhe probleme tjera. Posta është ndërmarrje publike, aksionar i vetëm është Qeveria, pjesë primare e ka shërbimin universal me të cilin shteti ose Qeveria e garanton operacionalitetin dhe funksionalitetin e shërbimit postar, ky nuk do të ishte imazh i mirë për vendin, diçka bazike për funksionimin e shtetit po cenohet për shkak të probleme financiare. Shërbimi universal postar shkakton edhe humbje që është rreth 1 milionë në vit, që Qeveria duhet çdo vit nga 1 milion t’i destinojë për mbulimin e humbjeve”, thotë ai.

I pyetur nga
Gazeta nëse e sheh si zgjidhje dorëheqjen, ashtu si ndodhi edhe me bordin e
përkohshëm të Telekomit, Arifaj thotë se në këtë moment janë duke punuar shumë
që të shikojnë vetëm si të ndihmohet ndërmarrja.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe punëtorët e Sindikatës së Postës. Në një përgjigje për Gazetën të njëjtët kanë deklaruar se momentalisht janë në pritje për një zgjidhje nga menaxhmenti dhe Qeveria. Në rast se nuk arrihet që të ekzekutohen pagat, të njëjtit kanë paralajmëruar veprime konkrete.

Kryeministri i
vendit, Avdullah Hoti deri më tani nuk është deklaruar publikisht për temën,
megjithatë, sipas informacioneve të gazetës, ai ka kërkuar nga palët një
zgjidhje të shpejtë dhe ligjore.

Se Posta e
Kosovës mund të përfundojë me bllokim të xhirollogarive sipas ATK’së ky
institucion e ka ditur që nga 10 marsi.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK’së, Ilir Murtezaj në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se pasi që në vend u raportuan rastet e para me koronavirus, ATK’ja ka lejuar tolerancë në zbatim të masave të sforcuara, deri në kohën e lirimit të masave nga Qeveria e Kosovës për lëvizje dhe zhvillim të aktiviteteve ekonomike.

“Ne si institucion qeveritar realisht zhvilluar dhe zbatuar të gjitha procedurat e parapara me ligj duke i informuar me kohe përfaqësuesit e kësaj kompanie me datën 10 mars me njoftim përfundimtar qe quhet për ne para ndërmarrjes se masës të spastruar të mbledhjes me forcë me qellim që ata brenda 10 dite të arrijnë që të vijnë te ne dhe ti paguajnë detyrimet e papaguara ose të lidhin marrëveshje për pagim të atyre detyrimeve me këste”, thotë Murtezaj, duke shtuar se është ofruar një mundësi për këtë rast nga Ministria e Financave dhe ATK’ja.

“Është ofruar një
mundësi nga ana e Ministrisë së Financave dhe ATK që ata fillimisht të
procedojnë një kërkesë për programim të borxhit dhe bazuar ne faktet te cilat
ata i prezantojnë dhe kërkesat qe parashihen me ligj, ne do ta shikojmë atë
kërkesë dhe brenda mundësive ligjore do te lidhim marrëveshje për pagese me
këste”, thotë Murtezaj.

Bllokimi i llogarive të Postës së Kosovës vjen vetëm pak ditë pasi bllokimit të llogarive edhe për Telekomin e Kosovës. Nëse për të dyja ndërmarrjet publike nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, atëherë 4 mijë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve do të mbesin pa rrogat e muajit korrik./GazetaExpress/