Pak muaj më parë u njoftua arritja e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Turqisë për futjen e gjuhëve të dy vendeve në sistemet arsimore përkatëse. Ditën e sotme në Shqipëri ka mbërritur ministri i Arsimit në Turqi Ziya Selçuk, për të njoftuar nisjen e zbatimit të programit për mësimin e gjuhës turke në shkollat shqipe.

Ai është takuar me Evis Kushin, ministren tonë të Arsimit dhe kanë mbajtur bashkë një konferencë të zhvilluar në Tiranë. Ministri e cilësoi si të rëndësishme këtë marrëveshje midis dy vendeve në kuadër të bashkëpunimit në fushën e arsimit, teksa u shpreh se do të vizitojë nga afër gjimnazin e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ku do të shohë nga afër edhe kushtet në të cilat mësimi i turqishtes jepet.

“S’ka dyshim që ne jemi në ndjekje të këtij procesi të zhvillimit të gjuhës turke në Shqipëri. Jam i sigurt që edhe në të ardhmen, pavarësisht kërkesave që do të jenë në rritje, jam besimplotë që do të ketë rezultate konkrete në të dyja shtetet”- deklaroi ministri. “Falenderime dhe mirënjohje të thellë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha, veçanërisht në arsim me bursa për studentët shqiptarë dhe rikonstruksionin e shumë objekteve arsimore”,- përfundoi Kushi.

Ajo u shpreh se pas konkludimit të kësaj marrëveshjeje, do të vijojë t zhvillohet bashkëpunimi midis dy vendeve jo vetëm në fushën e Arsimit.