Ditët pranverore zgjasin deri në fillim të javës që vjen e më pas parashikohet një situatë gati e rre zikshme për përmbytje serioze.

Reshjet nisin ditën e diel gjatë natës në veri të vendit ku është edhe zona ujëmbledhëse e liqeneve të hidrocentraleve.

Meteoalb parashikon që gjatë ditës së rënë reshjet e shiut do të jenë mesatare në basenin ujëmbledhës së lumit Drin, reshje të cilat vijojnë kryesisht mesatare edhe ditën e martë. E mërkura sjell një pakësim të reshjeve në të gjithë basenin e lumit Drin, por sërish dita e enjte fuqizon reshjet në veri duke sjellë edhe rrebeshe të përkohshme në pellgun e liqenit të hidrocentralit të Komanit dhe më pak në pellgjet liqeneve të hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe Fierzës.

E premtja sjell fare pak ose aspak reshje në veri. Parashikimet flasin për reshje deri në 100 milimetra në një interval nga 24 deri në 30 orë. Temperaturat e ajrit do të mbeten të larta gjatë ditëve me reshje duke ndihmuar edhe në shkrirjen e shtresës së borës në tërësi në basenin e lumit Drin. Kjo ka për të shtuar shumë më tepër nivelin e prurjeve në këto liqene.

Niveli i tyre mbahet nën kontroll nga Korporata elektroenergjitike dhe nëse niveli i afrohet pikut atëherë do të hapen portat e shkarkimit. Po ashtu, gjatë gjithë kësaj periudhe me reshje, edhe territori i Malit të Zi do të ketë reshje të konsiderueshme, kryesisht gjatë ditës së enjte ku Mali i Zi paraqitet me reshje me intensitet më të lartë se veriu i Shqipërisë.