Në ka një gatim special nga tradita shqiptare që të kënaq nepsin dhe oreksin, padyshim është trahanaja.

Tradita e gatimit të trahanasë ndryshon sipas krahinave të ndryshme.

Disa e përgatisin trahananë të ëmbël me qumësht e gjalpë, disa të tjerë me kos, disa me lëng domatesh e të tjerë me lëng mishi.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë tre receta tradicionale të krahinave të ndryshme por njëlloj të shijshme e fantastike, ideale për mëngjese të shëndetshme apo edhe darka gjithashtu.

Tre Receta Tradicionale Të Përgatitjes Të Trahanasë
Trahana me Qumësht e Gjalpë
Për një kg miell, dy gota qumësht, dy lugë gjelle gjalpë, 1 lugë gjelle kripë.

Sitet mielli, të cilit i hapet një gropë në mes ku hidhet gjalpi i shkrirë, qumështi dhe kripa.

Duke filluar nga mesi e përzjejmë brumin duke mos e gatuar shumë, por të përzihet aq sa të mos thithë krejt miellin.

Brumi duhet të jetë i fortë dhe i shkrifët.

Sipër e spërkasim me miell, e mbulojmë dhe e lëmë të vijë për 2-3 ditë.

Pastaj e hapim copa copa në çarçafë të pastër, e lëmë të thahet pak e shkoqim me dorë.

E kalojmë në sitë të rrallë, e thajmë përsëri dhe e vendosim në qeska prej pëlhure (beze).

Ruhet në vende të thata dhe të freskëta.

Trahana me kos
Për 1 kg miell përdoren dy gota kos dhe një lugë e gjysmë gjelle me kos.

Procesi i përgatitjes është i njëjtë si përgatitja e trahanasë me qumësht.

Trahana me Domate
Dy gota me lëng domatesh të shtrydhura, dy lugë gjelle gjalpë, një lugë e gjysmë gjelle kripë.

Edhe kjo recetë përgatitet si trahanja me qumësht, në këtë rast në vend të qumështit hidhet lëngu idomateve.

Përgatitja e Trahanasë si Supë
(Përbërësit e Recetës më poshtë janë për 4-5 persona)

6 lugë gjelle trahana

2 lugë gjelle vaj ulliri

Djathë i thërrmuar

Gjysmë filxhan çaji me shëllirë djathi

Një litër ujë

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, shtojmë trahananë dhe e skuqim lehtë.

Shtojmë ujin e vluar dhe vazhdojmë ta trazojmë me telin e kuzhinës që të mos krijohen kokërriza.

Shtojmë djathin e thërmuarr, shëllirën dhe nëse duhet edhe pak kripë.

E lëmë të zjejë rreth 10 minuta. Serviret e ngrohtë.