Në një vend të vogël si Shqipëria ,habitesh kur dëgjon për vajza dhe gra të cilat korrin suksese në fusha të cilat janë ende të paeksploruara në vendin tonë, siç mund të jetë ajo e aviacionit. Prandaj përtej habisë, është e pamundur të mos ndihesh krenar dhe shpresëplotë për horizonte të reja zhvillimi dhe emancipimi që në fund të ditës janë shembuj konkret, si historia që do ju tregojmë sot.
Ajo quhet Xhesina Xhesi dhe është nga një fshat i vogël i rrethit të Elbasanit, fëmijë i një familjeje emigrantësh në Greqi, vend ku dhe ka kaluar fëmijërinë e saj. Si ishte rruga që përshkoi Xhesi, nga fshati në Elbasan e deri në pilote në Dubai, mund të kuptoni duke lexuar intervistën e saj.

Living: Xhesi më trego pak më shumë për backgroundin tënd ?

Në moshën 14 vjeçare, jemi kthyer nga Greqia në Shqipëri ku dhe kam vazhduar kolegjin greko-shqiptar “Arseiko e Tiranës”. Më pas kam ndjekur studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik të Tiranës për degën Financë. Pas përfundimit të studimeve Bachelor kam nisur kërkimet për punë dhe pasi jam vënë në kontakt me një zyrë punësimi kam arritur të fitoj një punë në Dubai.

Si fillim kam punuar pranë një kompanie telekomunikacioni që quhet Etisalat, në fushën e marrëdhënieve me klientin dhe shitjeve. Gjatë kohës së punës, shumë kolegë më kanë shtyrë që të aplikoja në kompani të ndryshme ajrore si stjuardesë. Pas shumë aplikimeve dhe intervistave, kam arritur të filloj punë në një kompani ajrore në Dubai e cila quhet Flydubai.

Tashmë jam pjesë e aviacionit prej tre vitesh, por që në ditën e parë të trajnimit si stjuardesë e ndieva që dua të jem pjesë e aviacionit përherë. Ndoshta ka ndikuar fakti që kam qenë e rrethuar me njerëz të apasionuar pas avionëve dhe fluturimeve apo ndoshta ngaqë kam kaluar shumë kohë në aeroporte dhe avionë që vendosa të marr hapin e rradhës për t’u bërë pilote.

Jam shumë e vetëdijshme që jam me fat që ndodhem në një ambjent të tillë, e rrethuar nga njerëz më shumë vite eksperiencë në këtë fushë, që mund të ndajnë historinë e tyre me mua, duke me këshilluar dhe udhëzuar në këtë udhëtim. Në fluturimin tim të parë si stjuardesë kam qëndruar te kabina e pilotit, gjatë ngritjes dhe uljes së avionit dhe e kam parë për herë të parë nga afër se çfarë konkretisht bën një pilot e se si fluturon një avion.

Ka qenë një udhëtim gjatë natës dhe më kujtohet se sa e magjepsur jam ndierë me imazhin e një avioni të kontrolluar nga një person i vetëm në një qiell të hapur e plot yje. Pikërisht në atë moment i thashë vetes: “ Sa bukur do ishte sikur të ishe ti ajo që piloton këtë avion.

Pse jo ? Bëhu pilote, bëhu. “ Që nga ajo dita, gjëja e vetme që mendoja ishtë dëshira e atij momenti për t’u bërë pilote. Kështu kam nisur kërkimet për trajnimet e nevojshme, kohëzgjatjen, kostot, vendet e mundshme ku mund të studioja etj. Para një viti kjo dëshirë u kthyer në realitet gjatë fluturimit tim të parë në trajnim.

Living: Si ishte kalimi nga puna e parë në Dubai mes klientëve, në një kabinë pilotimi e vetme ?

Puna ime e parë në fushën e telekomunikacionit ka qenë një eksperiencë e bukur dhe shumë e vlefshme. Dubai është një nga ato qytete mbresëlënëse të botës që ka një diversitet të madh nacionalitetesh dhe kulturash.

Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me këtë shumëllojshmëri njerëzish, puna më ka ndihmuar shumë që të përmirësoj aftësitë e mia komunikuese dhe ndërpersonale, cilësi të cilat kanë qëne të domosdoshme për të nisur punën timë të ardhshme si stjuardesë. Mund të them me plot bindje që Dubai është një nga ato vende që të ofron mundësi të shumta për karrierën dhe formimin në përgjithësi, mjafton të jesh i zellshëm që të ecësh përpara dhe të zhvillohesh.

Normalisht që të gjitha këto proçese kanë vështirësitë e veta, por siç thuhet shpesh “ E vështirë nuk do të thotë e pamundur”. Mbaj mend që përpara se të filloja punën si stjuardesë kam realizuar më shumë se 20 intervista të ndryshme dhe sa herë që nuk më kanë pranuar mërzitesha, por kurrë nuk e humba shpresën dhe nuk u dorëzova. Dështimi i vërtetë është dorëzimi dhe mospasja e guximit të kërkosh atë që të bën të lumtur.

Një ditë e vetme, ku një zë i hollë nga ana tjetër e telefonit të thotë: “ Urime je pranuar për postin e stjuardesës” të ndryshon jetën 180 gradë. Në çdo fluturim që bëj, sa herë që ndodhem në kabinën e pilotit, i them vetes së jam shumë pranë realizimit të kësaj ëndrre për të qenë unë ajo që piloton atë avion, do të vijë dita që ajo kabinë do të jetë zyra ime e ardhshme. Kështu që veç me dëshirë dhe guxim nisa studimet në Dubai, për të qenë pilote. Gjashtë muaj pas trajnimit kam arritur të marr liçencën time të parë, që quhet PPL- Private Pilot Licence, e cla më lejon të fluturoj me avionë të vegjël me një motorr.

Living: Është e vështirë të jesh pilote ?

Mendoj se të jesh pilote është një nga profesionet më të bukura dhe të veçanta që ekziston. Të ndash një pjesë të madhe të jetës midis tokës dhe qiellit, të gjendesh në ajër midis reve, të shohësh botën nga lart, të vizitosh vende të ndryshme, të takosh njerëz të kulturave dhe ideologjive nga më të larmishmet, janë veç disa nga bukuritë që të ofron ky profesion.

Normalisht që si gjithçka tjetër, të jesh pilot apo të bëhesh pilot ka vështirësitë e veta. Mendoj që për të gjithë studentët pilot, vështirësia më e madhe qëndron te kostot e larta që kërkon ky trajnim. Ato ndryshojnë në varësi të vendit ku bëhet trajnimi dhe licencave që zgjedh për të bërë. Për të dhënë një vlerë si pikë referimi minimumi që duhet të shpenzosh për t’u bërë pilot i pajisur me licencën komerciale, e cila të jep mundësi për të aplikuar nëpër kompani të ndryshme ajrore, është rreth 50 mijë euro.

Përsa i përket pjesës praktike të fluturimeve, besoj se herët a vonë, sado e vështirë të jetë për t’u mësuar një proçedurë apo një manovër, me punë dhe përpjekje arrihet gjithçka. Në rastin tim për shkak të faktit që jam në marrëdhënie punë gjatë kohës që bëj trajnimin më është dashur të zgjedh opsionin modular, diçka e ngjashme me termin part-time. Në përgjithësi të gjitha shkollat do të ofrojnë mundësinë të realizosh çdo kurs në mënyrën full-time apo part-time.

Living: sa kohë duhet që të bëhesh pilote ?

Praktikisht një student si unë që zgjedh ketë mënyrë, duhet të mësojë i vetëm pjesën teorike dhe të bëj gjithashtu përgatitjet për provimet përkatëse të secilës liçencë në mënyrë individuale, që sipas mendimit tim kërkon më shumë punë e sakrificë. Të studiosh në këtë lloj mënyre do të thotë se do të duhet më shumë kohë për të përfunduar trajnimin pasi orari për fluturimet është më fleksibël.

Pasi kam përfunduar liçencën e parë me rreth 50 orë fluturimi në total, kam vazhduar trajnimin tim në Greqi. Për dy muaj të tjerë kam realizuar edhe mbi 50 orë të tjera fluturimi duke shkuar në total prej 105 orësh deri tani. Për momentin kam nisur studimet për liçencën komerciale dhe tani po zhvilloj pjesën teorike të saj e cila përfshin 14 lëndë dhe dëtyrimisht 14 provime përkatëse. Pas përfundimit të pjesës teorike do të filloj me fluturimet përkatëse që përfshijnë ndër të tjera dhe fluturimet me avionë me më shumë së një motorr.