Sot do të luhet pjesa tjetër e sfidave të kësaj jave ku spikasin dy përballje të rëndësishme mes skuadrave që kanë vendosur kandidaturën për fitimin e kampionatit. Sfida e San Siros Inter-Napoli është një prej sfidave që kanë vëmendjen më të madhe. Zikaltrit vijnë pas 4 fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa skuadra e Gattusos shpreson që të regjistrojë suksesin e katërt radhazi. Interi nuk do të ketë Vidal e Sanchez, ndërsa Napoli do të jetë sërish pa Osimhen.

Në Allianz Stadium, Juventusi do të presë Atalantën dy skuadra që po përjetojnë situata sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Të dyja ekipet bënë paraqitje shumë të mira në Champions dhe të dyja skuadrat kanë probleme me një lojtar argjentinas. Por ndërsa bardhezinjtë duket se mund ta zgjidhin me qetësi çështjen Dybala, te skuadra bergamaske është e qartë ndarja Gasperini-Papu Gomez me këtë të fundit që mund të largohet në janar. Nga kjo situatë e bergamaskëve do të kërkojë të përfitojë Juventusi i Pirlos që do të kërkojë fitoren e 3 radhazi në Serie A

Milani, që sot feston 121 vjetorin e themelimit të tij, udhëton drejt Marassi-t për sfidën me Genoan. Kuqezinjtë edhe pse pa Ibran, Kjaer, Gabbian dhe Bennacer do të kërkojë që të fitojë këtë ndeshje dhe pse jo të shpresojë që dy sfidat e rivalëve direkt Inter-Napoli e Juve-Atalanta të përfundojnë në barazim për të zgjatur avantazhin kundrejt tyre në krye të renditjes

 


.